Montag, 27. April 2009

Poezi, Kujtim Shkreli



TRUNGU ILIR


A thua sa herë
U patën rënë gjethet
Atyre degëve
Mbi atë trung të trashë

Kushedi sa herë
Iu vërsul furtuna
Si çmenduri e kohës

Kushedi sa rrufe ranë mbi të
Sa gjethe iu thanë
Apo mbeti degë gjëkund

A thua sa herë
U patën rënë gjethet
Atyre degëve
Mbi atë trung të trashë



KURRË MOS TË JEM (Version II)

U shemben kullat e trojet u zhdukën
Lumenjtë e krojet vetëm kuq rrodhën
Furtuna fryu e s'u ndal ditë as natë
Pëlcitën shkëmbinjtë bashkë me zemrat
Natë u bë e dita nuk erdhi
Arat në vend të bukë rritën djerrinë
Lë të jem unë qiriu i radhës që fikem
Fushat rritën varre në vend të luleve
Dymbëdhjetë tyta mbi mua le të shtijnë
Në qoftë se lulet në kopësht të vet
Nuk lulëzojne sa herë të duan.

1999


POPULLI

Tash e sa mijë vjet e njëjta gjë
Të njëjtat fjalë në të njëjtin vend
E njëjta gjuhë i njëjti emër
Të njëjtat qenie

Gjallesa të bukura dykëmbëshe
Unë dhe ne sajojmë një popull